Edhe këtë të hënë, studentët e Mjekësisë vijojnë bojkotin dhe protestat kundër ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Sot ata janë mbledhur sërish në protestë para godinës së rektoratit, ndërsa një përfaqësi e tyre do të zhvillojë edhe një takim me rektorin Arben Gjata.
Studentët kërkojnë mbështetje publike nga Gjata, kërkojnë mos u paraqitet asnjë kontratë derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin final dhe pedagogët të mos ushtrojnë presion.
Prej më shumë se 4 javësh tashmë studentët e Mjekësisë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur protestat kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve. Ata e kanë bërë të qartë se vetëm shfuqizimi i ligjit do t’i kthente në auditorë. Revolta e tyre u shtua edhe pas bërjes publike të tarifës prej 240 mijë lekësh që do u duhet të paguajnë në vit.
