Një 24-vjeçar ndaj të cilit gjykata kishte dhënë masën arrest shtëpie është arrestuar larg banesës së tij në Lezhë.
Sipas policisë, kanë qenë qytetarët ata të cilët kanë raportuar se i riu bashkë me mikun e tij qarkullonin në Rrëshen me armë zjarri.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë marrë informacion nga qytetarët se një shtetas i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” po qarkullonte me makinë në Rrëshen sëbashku me një shtetas tjetër i cili dyshohej se kishte armë zjarri me vete. Mbi bazën e këtij informacioni, Njësia operacionale “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, kanë ndërhyrë duke bërë bllokimin e automjetit dhe të dy shtetasve që ndodheshin në të”, njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik u arrestuan E.N., 24 vjeç, banues në Lezhë, i cili udhëtonte me mjetin e tij larg banesës, në aksin rrugor Rrëshen – Milot, edhe pse ndaj tij më vendim datë 10 Prill 2019, Gjykata e Apelit Shkoder kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Ndërsa N.K.28 vjeç, banues ne Lalm i Ri Lezhë, u arrestua pasi ishte pasagjer në automjetin që drejtohej nga E.N. dhe gjatë kontrollit fizik policia i gjeti këtij shtetasi në brez një armë zjarri tip pistoletë me pesë fishekë të cilën e mbante pa leje.
Materialet proceduriale i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë në ngarkim të shtetasit E.N., për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe në ngarkim të shtetasit N.K.për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”