Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzon kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se vjedhin taksat e qytetarëve. Meta u ndal tek inceneratori i Tiranës, duke thënë se mori edhe 800 mijë euro të tjera, ndërsa drejtësia nuk vepron ndonëse janë bërë kallëzime.
”Ministra dhe zyrtarë kanë vetëm një synim që të vjedhin. Inceneratori i Tiranës merr miliona euro nga Rama dhe Veliaj. Inceneratori që nuk ekziston edhe dje mori vetëm 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për rolin e tij korruptiv por drejtësia nuk vepron. Rama është arkitekt i vjedhjes shtetërore me 3 incenetarorë duke vendosur qeverinë dhe ministrat e tij në funksion të këtyre skemave zhvatëse që kanë treguar se sa thellë janë të gatshëm ata për ta future dorën pa mëshirë në xhepin e qytetarëve”,-tha Meta.
Gjatë konferencës për shyp, Meta u ndal edhe në zhvillimet e fundit në Parlament, ku tha se Rama kërkon një Shqipëri pa opozitë. ”Parlamenti është kapur për fyti nga Rama për shndërrimin në një zyrë të qeverisë që miraton ligje vetëm për të vjedhur. Bllokimi i komisioneve hetimore është dëshmi e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari, përjashtimi i deputetëve të opozitës është një mjet agresioni i hapur ndaj opozitës në mënyrë që ajo të asgjësohet në funksionin e saj dhe korrupsioni i qeverisë të mos njihet nga shqiptarët”.
