Sali Berisha nuk do të paraqitet në SPAK, kjo për të zbatuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme për akuzën e korrupsionit pasiv në privatizimin e kompleksit Partizani.
Juristët referuar bazës ligjore dhe praktikës juridike, thonë se ish-kryeministri Sali Berisha mund të përballet me ashpërsimin e masës së sigurisë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës “detyrimin për tu paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.
Avokatët e pajisur me prokurë nga Sali Berisha, apeluan masën, por që përsa kohë ajo është në fuqi, data e parë kur Berisha duhet të paraqitet, sipas vendimit të gjykatës, është sot ora 10:00, datë 6 nëntor 2023. Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur dhe se nuk ka dorëzuar raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mosparaqitjen.
Që nga ky moment, prokurorit i lind e drejta të veprojë me një masë tjetër më të rëndë se dy masat që janë në fuqi deri tani. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën ku i bëhet e ditur se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar në respektim të vendimit të gjykatës.
Mosparaqitja edhe pas këtij njoftimi, i vendos prokurorët para dy opsioneve:
I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti.
