Partia Socialiste ka mbledhur këtë martë Asamblenë e Zgjeruar në qytetin e Durrësit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se parashikohet që deri në vitin 2030 Shqipëria të arrijë shifrën e 20 milionë turistëve në vit.
“Nga janari në tetor kemi prekur pothuajse shifrën e 9 milionë turistëve. Më saktë 8 mln e 920 mijë. Dhe nëse ky trend do vazhdojë deri në fund të vitit do t’i afrohemi shifrës së 10 mln turistëve, që për Shqipërinë është një shifër e jashtëzakonshme ekonomike. Pasi bëhet fjalë për 10 mln konsumatorë. Dhe flas këtu për pasaporta të huaja. Këtu hyjnë pasaporta të huaja. Dhe natyrisht që kjo përkthehet në një konsumatorë, në një nevojë në rritje për shërbime në të gjitha nivelet, për prodhim të brendshëm. Nëse ne do të jemi ambiciozë çdo ditë dhe do bëjmë gjërat e duhura çdo vit, pa asnjë diskutim mund t’i afrohemi deri në 2030 shifrës së 20 mln turistëve. Shqipëria është sot në një nivel të ri.”
