Garda e Republikës së Shqipërisë kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në lidhje me përplasjen që pati sot me gazetarët në sallën e Kuvendit.
Nëpërmjet një reagimi për mediet, Garda kërkon mirëkuptim, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të gazetarëve.
Reagimi i Gardës
Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.
Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.
Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.
Garda thekson se media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar.
Kujtojmë se Garda e Republikës pengoi sot punën e gazetarëve në oborrin e parlamentit me justifikimin se ka ndryshuar rregullorja, duke mos i lejuar që t’i drejtojnë mikrofonin deputetëve të PS apo ministrave. Pas përplasjes së Gardës me gazetarët, Gazment Bardhi tha se dënon aktin e sotëm të paprecedent ndaj gazetarëve.
“Bllokimi i Gardës së Republikës fillimisht ndaj opozitës dhe sot ndaj medias e gazetarëve në krye të detyrës është jo thjesht i papranueshëm, por treguesi më domethënës i degradimit të regjimit të Edi Ramës. Duke dënuar aktin e sotëm të paprecedentë të sulmit ndaj gazetarëve, siguroj që nuk ka Gardë e Polici që mund të mbajë në këmbë një regjim të kalbur nga krimi dhe korrupsioni”, tha Bardhi.
