Fillimisht është marrë si një lajthitje e mediave serbe lajmi se në Burrel është kryer transplanti i organeve njerëzore të ushtarëve e civilëve serbë. Mirëpo Prokurori i rrethit Mat, Arben Dyla hedh dritë mbi të vërtetën e hetimit ndërkombëtar në një fshat të largët të këtij rrethi. Megjithëse numri një i akuzës nuk ka mbajtur ndonjë ditar, ai kujton se “hetimi” i prokurorëve të Gjykatës së Krimeve të Luftës është kryer në pranverën e vitit 2004. “Më telefonojnë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më thonë se do të vinin në Burrel disa hetues ndërkombëtar. Nuk më thanë as objektin e hetimit dhe asnjë detaj tjetër’- nis rrëfimin e tij prokurori i Matit. Pasditen e të nesërmes mbërrijnë në qytet hetuesit e huaj. Ishin nga vende të ndryshme të botës dhe si përkthyes shërbente një shqiptar nga Maqedonia. I sistemuam në lokalin pranë spitalit të qytetit, “Vila Bruçi”, një lokal ky i qetë dhe i frekuentuar vazhdimisht nga të huajt. “Të nesërmen bashkë me kolegët e huaj, grupin e gatshëm të policisë së Burrelit u nisëm në drejtim të Klosit. Hetuesit ndërkombëtarë na thanë para nisjes se ata synonin të hetonin rreth disa varreve sërbe në këtë zonë. Sipas tyre ushtria kosovare i kishte vrarë e varrosur ato në territorin e Matit. Na thënë se kërkonin një banesë karakteristike të zonës, në të majtë të rrugës nacionale. Nisëm udhëtonimin dhe herë pas here ndalonim për të pyetur miqtë e huaj për shtëpinë që ato kërkonin”-tregon Dyla. Ndalesat e shumta dhe mërzitja se objekti që hetuesit e huaj për kërkonin nuk po gjendej, ka imponuar prokurorin e Burrelit t’u kërkojë atyre të vënë në krye të eskortës njërën nga tre foristradat që dispononin hetuesit e Hagës. “Në të hyrë të komunës Gurrë makina e parë la rrugën kryesore, thotë Arben Dyla dhe i drejtohet fshatit Rripë. Me sa kuptova ata kishin në mjetet e tyre foton dhe hartën e vendin ku ndodhej shtëpia që kërkonin të hetonin”. Rreth orës 9 të mëngjesit 7 automjete, me hetues të huaj, punonjës të policisë së Matit dhe me në krye Prokurorin e Matit mbërrijnë në oborrin e shtëpisë së Abdulla Katuçit. Kuptohet kryefamiljari dhe pjestarët e tjerë të familjes janë ndjerë keq kur kanë parë një numër kaq të madh të huajsh dhe forcash policie në derën e tyre. Kanë shtangur të gjithë. Nuk kanë kuptuar fare çfarë po ndodhte. Asokohe u tha se policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin kërkonin të gjenin armë në këtë banesë të vjetër. Ndërsa tani ngjarja tregohet krejt ndryshe. “Iu prezantova kryefamiljarit, tregon Dyla. Pastaj i prezantova dhe personat e tjerë me të cilët unë shoqërohesha. I thashë se hetuesit e huaj kanë ardhur të verifikojnë një çeshtje të tyren në këtë banesë. Megjithëse i tronditur nga ajo që po shihte, Dull Katuçi nuk kundërshtoi dhe afroi bashkëpunimin e tij deri në përfundim të hetimeve të asaj dite të lodhshme”-vijon prokurori i Matit. Policia ka bërë rrethimin e banesës dhe ka kërkuar që asnjëri nga pjestarët e familjes Katuçi të mos lëvizë pa lejen e tyre. Pa nisur ende nga kontrolli i banesës Arben Dyla ka pyetur familjarët nëse në këtë shtëpinë ka patur kosovarë apo ushtarë të UÇK-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë. “Dulla na tha se nuk kishte patur kurrë mysafirë nga Kosova në shtëpinë e tij dhe se dy djem i kishte emigrantë jashtë vendit”- thotë prokurori. Dyla kujton se një hetues amerikan i ka treguar atij qëllimin e vërtetë të verifikimit që kryhej në këtë banesë, duke pohuar se synohej verfikimi i një qendre ku kryhej transplanti i organeve trupore. Ndrëkohë, pas pyetjeve që iu bënë Katuçit, hetuesit kanë nisur nga puna. “Nisëm kontrollin e plotë të banesës, çdo dhomë e cep të saj. Nuk kemi lënë gjë pa lëvizur, thotë Dyla. Mirëpo në mendjen e prokurorit të Matit kanë mbetur disa detaje të atij verifikimi siç e kanë konsideruar të huajt. “Në fund të oborrit të shtëpisë, mes plehrave, hetuesit gjejnë disa shishe të boshatisura penicilline apo streptomicine. I morën në duar dhe pyesnin me hollësi sesi ato kanë përfunduar aty. Dulla, pohon Dyla, tha se në fshat nuk kishte qendër shëndetësore dhe se injeksionet të sëmurët e kësaj shtëpie i realizonin në shtëpi”. Detaji tjetër që prokurori Dyla nuk e harron dhe nuk e lë pa përmenduar është ai se në mes të rrobave të shumta të familjes hetuesit ndërkombëtarë gjetën një beze, me ngjyrë të bardhë. “E morën në duar dhe po diskutonin me njëri-tjetrin, tha Dyla. Përkthyesi na tha se sipas hetuesve kjo copë përdoret kundër sëmundjeve ngjitëse”. Ndërkohë Dulla ka sqaruar se ajo rrecktë e vjetër dhe e papërdorshme për familjen Karuçi i përkiste kohës së diktaturës. “Ka qenë mbulesë tavoline ku ne hanim bukë”-sqaroi kryetari i familjes.
Pasditen e asaj dite hetuesit e huaj, prokurori i Matit dhe grupi i gatshëm i policisë kanë mbërritur në varrezat e fshatit Rripë. Banorë të shumtë kanë lënë shtëpitë dhe kurioziteti i ka shtyrë të afrohen pranë varrezave të të afërmëve të tyre. Të huajt bënin fotografi dhe filmonin pa pushim. Sipas Dylës pikërisht gjatë kqyrjes së varrezave të fshatit nuk kanë munguar edhe replikat. Banorët e fshatit kanë treguar me emra të gjithë varret, edhe ato që nuk ishin bërë me pllaka. Ndërkohë hetuesit e Gjykatës së Krimeve të Luftës kanë kërkuar të bëhet zhvarrimi i disa varrezave. “Kjo nuk mund të bëhet, ka këmbëngulur prokurori i Matit, Arben Dyla. Së pari se nuk ka shkaqe dhe fakte ligjore për të kryer një veprim të tillë dhe së dyti në traditën e shqiptarëve zhvarrimi është një veprim jo normal”. Ka mjaftuar argumenti i prokurorit Dyla që hetuesit të tërhiqen nga aventura e tyre për zhvarrimin e banorëve të fshatit. Në këto momente kanë reaguar edhe banorët. Ata janë habitur sesi aludohet se në këto varreza kishte serbë.
Hetuesit i janë rikthyer banesës së Dull Katuçit, ndërkohë ky i fundit ka rrëfyer një histori të para pak kohëve. “Erdhën këtu në fshat dy persona, ka treguar Dulla. U prezantuan si shqiptarë nga Mali i Zi. Thanë se kishin ardhur të kryenin disa matje nga do të kalonte Rruga e Arbërit. Bënë fotografi e matje të shumta dhe pas disa orësh u larguan”-ka sqaruar Katuçi. Ndërkohë pas mbërritjes së hetuesve të huaj në Rripë hidhet ideja se dy “mysafirët malazes” do të kenë qenë bashkëpunëtor të spiunazhit serb.
Në orët e mbrëmjes Arben Dyla është bërë dëshmitar i një tjetër detaji të panjohur për të. “Na kishte marrë uria keq, thotë prokurori. Dërgova dikë për të blerë biskota e ushqime të tjera për vete dhe punonjësit e policisë, të cilët dhe ata ishin të uritur. Jo se familja Katuçi nuk është bujare, por të huajt nuk dhanë asnjë mundësi për të gatuar. Kishte rënë nata. Rreth orës 20.30 hetuesit e huaji i ishin rikthyer njerës prej dhomave, në katin e parë të banesës. “E shihni këtë solucion, thanë hetuesit. Aty ku ka patur njolla gjaku ky solucion bëhet fosforoshent. Në reaksion me rruazat e gjakut ai jep këtë shenjë”. Dhe vërtetë mbi dysheme dukeshin harta fosforoshente. Duket sikur hetimet kanë rinisur nga e para. Prokurori është detyruar të pyesë gjatë çfarë kishte ndodhur në këtë dhomë. “Pyeta familjarët nëse kishin prerë bagëti apo pula në këtë dhomë, pasi ajo para dy-tre vitesh kishte qenë e pa shtruar fare. U lodhën gjatë familjarët të kujtojnë çfarë kishin prerë në këtë dhomë, por dukej se ishte e kotë. Pas rreth gjysëm ore nusja e shtëpisë së Katuçëve ka rrëfyer diçka të veçantë. “ Para dy vjetësh në këtë dhomë kemi mjekuar djalin e plagosur i cili kishte hemoragji”. Njollat e gjakut mbi dyshemene e pashtruar me çimento nuk mund të lahen totalisht. Sipas prokurorit kur dhoma është shtruar me çimento, bashkë me zhavorin është bashkuar edhe dheu i dyshemesë, i cili patjetër ka patur njolla gjaku. Pas këtij fakti të huajt kanë kqyrur të gjitha dhomat e banesës, por nuk kanë gjetur gjurmë gjaku. Dhoma fqinje ku solucioni dha harta fosforoshente ishte shtruar me dërrasa. Hetuesit e huaj kanë kërkuar ta shkatërrojnë dyshemenë, duke thënë se “përse ajo është shtruar në këtë mënyrë”, me pretekstin se diçka fshihet poshtë dërrasve. Ashtu si në rastin e varrezave të fshatit prokurori i Matit, Arben Dyla nuk ka pranuar të dhunohet banesa e Katuçëve, duke argumentuar se kjo nuk ishte e bazuar në ligj dhe se nuk kishte prova e fakte për të ndërmarrë një veprim të tillë.
Pas orës 21 të asaj dite, të lodhshme dhe të veçantë për prokurorin e Burrelit, familjen Katuçi, punonjësit e policisë së Matit, por jo për hetuesit e Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë ndalur verifikimet dhe është realizuar kthimi në qytetin e Burrelit. “I sistemova të huajt në Hotelin “Vila Bruçi”. Para sesa të largohesha i pyeta për agjendën e ditës së nesërme. Më thanë se do të shkonin përsëri në Gurrë, në fshatin Shulbatërr për të kryer disa verifikime të vogla, sqaron Dyla”. Është rënë dakort që nëse do të kërkohen të tjera veprime hetimore, si ajo e mundësisë së zhvarrimeve apo shkatërrimit të banesës së katuçëve, hetuesit e huaj të kenë siguruar autorizim nga autoritetet e lartë të organit të akuzës.
Të nesërmen të huajt kanë rivajtur në Rripë. Kanë bërë foto e filmime të ndryshme. Kanë qëndruar më pak se një ditë më parë dhe janë larguar.
Pas gjithë kësaj ngjarje të pazakontë Prokurori i Matit shprehet se nuk mund të qëndrojë sehirxhi dhe të mos pyesë: Nesë hetuesit e huaj duan të dinë ku janë varret serbe kush i ka penguar ata deri më sot për një gjë të tillë? Nëse do të kishte prova e fakte atëherë pse nuk nisi një hetim? Me cilin autoritet shqiptar janë kryer këto hetime për të cilat bëhet bujë ditët e fundit në media? Për hetimet e kryera nga Gjykata e Krimeve të Rënda a është mbajtur ndonjë proces-verbal, akt dhe a ekziston ndonjë dokument?
E gjithë historia e transplantit të organeve që media serbe ka trumbetuar ditët e fundit, se një gjë e tillë realizohej në Burrel, sipas Prokurorit të Matit, Arben Dyla nuk ka asgjë të vërtetë.
Rrëfimi i Dull Katuçit
Dull Katuçi është një burrë rreth të 70-ave. Mikpritës dhe njeri i zgjuar. Nuk i harron ato ditë shkurti të vitit 2004, kur të gjithë pjestarët e familjes janë nxjerrë nga shtëpi. “Isha me bagëti, thotë sapo ne e pyesim për ngjarjen. Erdhi plaka dhe duke u dridhur e tëra me thotë: Hajde shpejt se na nxore fare. Shtëpia është mbushur me amerikanë dhe policia e ka rrethuar atë”. Mbeta i shtangur. Nuk po kuptoja çfarë po ndodhte. Nxitova dhe shumë shpejt mbërrita në shtëpi. Të huajt kishin kthyer përmbys gjithçka. Kërkova të bisedoj me ndonjërin prej tyre. Prokurori i Matit, Arben Dula mu afrua dhe më tha se njerëzit që kishin hyrë në shtëpi kërkonin të hetonin për llogari të tyren. Nuk kisha çfarë të bëja por kur pashë nusen e djalit me fëmijën dy muajsh në oborrin e shtëpisë, kur kohë ishte e ftohtë, nuk u ndjeva hiq mirë”-sqaroi Dulla, një njeri që flet qartë dhe nuk harron asnjë detaj të asaj që ndodhi në shtëpinë e tij. “Kanë ardhur në fund të arës time 7 makina, me të huaj dhe shqiptarë. Mes të huajve kam parë dhe një grua. Ishte mjaft e mbajtur. Edhe ajo vepronte si të tjerët. Aty kun e hidhnin mbeturinat e shtëpisë u ndalën gjatë. Gërmonin me mjetet që kishin marrë me vete. Mbushën çantët me shishe të ndryshme, me bishta cigaresh, me dhe, me gjithçka ndodhej në grumbullin e plehrave poshtë shtëpisë, rrëzë urës së ndërtuar dy vjet më parë”. Dull Katuçi mban mend mjaft mirë tre detajet e treguara nga Prokurori i Matit, Arben Dyla. Thotë se ka dhënë sqarime të plota për mbetjet që të huajt mblodhën në grumbullin e mbeturinave, për bezen e bardhë që u gjet mes rrobave të tjera dhe njollat e gjakut në dyshemenë e shtëpisë. Një histori më vete është ajo e “vizitës” së dy personave në këtë shtëpi, dy muaj para kontrollit të beftë të prokurorëve e ekspertëve të huaj. “Djali im, Mersimi ka pritur dy muaj para kontrollit të shtëpisë dy persona të cilët i kanë thënë atij se “ne po punojmë që ky fshat të lidhet me Tiranën me rrugë. Kanë kërkuar madje shtëpinë me qera. Kanë bërë matje e fotografime dhe janë larguar. Ne kemi dyshuar që atëherë se ata nuk ishin shqiptarë, sepse gjatë gjithë kohës nuk flisin shqip por në gjuhë të huaja. Helikopterët lëviznin fare ulët dhe pranë shtëpisë. Nuk kemi parë nëse filmonin apo jo. Nuk e kemi vënë re një gjë të tillë”-sqaron Dull Katuçi. Sipas tij dëmtimi i dyshemesë së shtëpisë nuk ishte një veprim i drejtë. As lënia e familjarëve jashtë shtëpisë për dy ditë. As kontrolli i rrobave të shtëpisë dhe gjithçkaje tjetër pa patur një argument, nuk konsiderohet veprim i drejtë. “As sot nuk jam i qartë pse shtëpia ime është kontrolluar në atë mënyrë. “Dikush” ma ka bërë këtë, rrëfen Dull Katuçi. Si mund të vijnë nga Amerika e shtete të tjera të botës dhe të kontrollojnë vetëm shtëpinë time? Ai nuk ka haber rreth haber rreth akuzave të ish Kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, as se në këtë shtëpi është kryer transplanti i organeve trupore, por gjykon se gjithë kjo histori ka lidhje me njerëz që nuk kanë marrëdhënie të mira me familjen Katuçi. “Tek varrezat e fshatit nuk kam vajtur, sqaron Dulla. Nuk më thanë të shkoja. Kam dëgjuar më vonë se kanë tentuar të çvarrosin varret. Kjo nuk mund të ndodhte kurrë. Fshati ynë nuk do të lejonte kurrë një veprim të tillë. Ato janë varret e stërgjyshërve tanë dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë se aty janë varrosur serbë. Jo se nuk kemi dashur ne, por gjatë luftës në Kosovë në zonën e Gurrës nuk janë sistemuar vëllezërit shqiptarë të Kosovës”. Ditën e dytë të kontrollit, në ikje e sipër të huajt janë shprehur se mund të kthehen përsëri, madje janë shprehur se këtë shtëpi mund ta marrin për “burg”. Kjo deklaratë e tyre nuk i hiqet nga mendja plakut të mençur. Megjithëse inati i atij kontrolli të imtësishëm Katuçit nuk i ka ikur, ai nuk lë pa përmenduar bisedat që ka patur për këtë ngjarje. Përkthyesi që u prezantuar si shqiptar nga Maqedonia i është shprehur 74 vjeçarit: “Xhaje, tani në shtëpinë tënde ke brenda 7 krajlat”. Ndërkohë të tjerë, oficerë të policisë shqiptare kanë pohuar: “Dullë, Ju kurrë nuk kemi për ta mësuar qëllimin e kontrollit që është bërë në shtëpinë tënde”. Prej atëherë dhe deri ditët e fundit Dull Katuçi ka dërguar letra të shumta Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit të Shqipërise. Ai është ankuar se kontrolli ka qenë i paligjshëm dhe se kërkon të informohet cili ishte qëllimi i tij.
Hasan PASHA Gurrë, 22 qershor 2008