Ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani ka zbuluar se marrëveshja e emigrantëve të Italisë me Shqipërinë i ka fillesat që prej muajit prill të këtij viti dhe jo siç u prezantua se ndodhi gjatë pushimeve të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Tajani shpjegoi se negociatat janë menaxhuar fillimisht nga Ministria e Jashtme dhe se takimi i parë operacional është zhvilluar më 6 prill të këtij viti.
“Kam lexuar histori dhe artikuj në gazetat italiane që janë vërtet absurde, të rreme. Është një marrëveshje e gjithë qeverisë italiane, mbi të cilën kanë punuar së bashku Kryeministria Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. I gjithë negocimi, që në fazat fillestare, u menaxhua normalisht nga ministria ime. Takimi i parë përgatitor u mbajt në zyrën time në Palazzo Chigi. Pas një takimi fillestar që pata me Giorgia Melonin, organizova një takim më 6 Prill 2023, takim paraprak operacional mes Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme dhe ambasadës tonë në Tiranë. Nuk është një marrëveshje e lindur gjatë një gotë verë në kohë pushimesh. Misioni i parë operacional në Tiranë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Punëve të Brendshme ka filluar më 24 maj. Kemi dhjetëra procesverbale, emaile, raporte takimesh mes zyrtarëve tanë dhe me liderët shqiptarë”, u shpreh ministri i Jashtëm italian.