“Veliaj pagoi për depozitimin e dherave të kullës që zhduku Sahatin e Tiranës për shkak se projektuesja ishte thjeshtra e Ramës”, është pretendimi i Sali Berishës. Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se këtë akuzë e bazon në një email sekret të ardhur së fundmi, ku thotë se sipas tij, Veliaj ka urdhëruar që kësaj kulle, dherat t’i depozitohen pa kërkuar që privati të paguajë depozitimin e tyre si të gjithë ndërtuesit e Tiranës
”Në datën 20 maj të vitit 2019, gjithnjë fjala është për korrupsionin e familjes së kryemafiozit, Edi Rama dhe mëkëmbësit të tij, Erion Veliaj. Këtu do të sjell një rast të pastër korruptiv, se si Veliaj përjashton, apo paguan vetë tarifën për dherat dhe inertet, të kullës që zhduku Sahatin e Tiranës.
Erion Veliaj, siç merret vesh nga një email sekret i zbuluar së fundmi, ka urdhëruar që kësaj kulle, dherat t’i depozitohen pa kërkuar që privati të paguajë depozitimin e tyre si të gjithë ndërtuesit e Tiranës.
Kjo ndodh sepse projektuesi i kullës që i zhduku Sahatin, simbolin më të arrirë kryeqytetit, është një vajzë tiranase, është një kompani në të cilën punon një vajzë tiranase me një pushtet të jashtëzakonshëm, që qëndron mbi ligj, mbi Kushtetutë dhe mbi çdo gjë. Kjo vajzë është Thjeshtra e Parë e vendit, Rea Xhillari, vajza e familjes Rama”,-tha Berisha.
