Deputeti dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka hedhur tezën e krijimit të një “federate opozitare” ku të përfshihen të gjitha partitë politike të opozitës në vend. I ftuar në studion e “Kontrast”, duke folur për një alternativë të mundshme për të zgjidhur krizën e opozitës, Mediu tha se kjo “federatë opozitare” duhet të kryesohet nga një grup deputetësh të cilët gëzojnë mirëbesimin e të gjithëve.
“Unë mendoj që këtë çështje opozita duhet ta ngrejë në nivel politik duke krijuar një federatë opozitare ku të jenë të gjitha partitë politike që drejtohet nga një grup koordinues deputetësh që gëzojnë mirëbesimin e të gjithëve, që ndërton një lloj platforme të veprimit opozitar, krijon një grup negociator ndërkombëtar të mandatuar nga opozita, të gjendet edhe mënyra për të vepruar në nivelin parlamentar me përfshirjen e të gjithë deputetëve opozitarë të dalë nga zgjedhjet 2021”– tha Mediu.
Ai shtoi se duhet që faktorët politikë të opozitës të lënë debatet dhe të bashkohen rreh një programi politik ku të flitet për ide dhe jo individë. Sipas tij, duhet që koalicioni opozitar të veprojë edhe në planin ndërkombëtaar, përveç atij parlamentar.
“Ne jemi në atë pikë që nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të mendojmë sesi të fitojmë. 600 mijë vota kushdo ti ketë nuk janë të mjaftueshme të fitohen zgjedhjet. Duhet që të gjithë faktorët politikë opozitarë të lënë këtë lojën e debateve me njëri tjetrin dhe të bashkohen një koalicion opozitar është i nevojshëm dhe është shumë e rëndësishme sesi t’i qasemi për të krijuar programin politik dhe më pas marrëdhënien elektroale. Kjo federatë shërben si tryezë e një diskutimi politik që ndërton koalicion të rëndësishëm opozitar. Vepron në planin parlamentar, në planin politik të ideve dhe në planin ndërkombëtar”– shtoi Mediu.