Humbja 5-1 në “Liri Ballabani” ndaj Luzi 2008 ka shkaktuar reagim të menjëhershëm te skuadra e Burrelit. Humbja ngjalli shqetësime dhe dyshime te zyrtarët matjan dhe menjëherë pas ndeshjes drejtuesit paralajmëruan se ajo që ndodhi të shtunën në “Liri Ballabani” do të analizohej me imtësi, ku u paralajmëruan edhe masa ndëshkimore nga gjoba deri në përjashtime.
Dita e sotme ka pasuar zhvillime të reja te Burreli. Për momentin skuadra ka mbetur pa trajner. Dorjan Bubeqi nuk do të jetë më “timonieri” i ekipit matjan, pasi palët kanë ndarë rrugët.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi në rrjetet sociale, ku trajnerit kavajas i urojnë sukses dhe e falënderojnë për punën që ka bërë te Burreli deri javën e fundit.
“Falënderojmë trajnerin për të gjithë kontributin e dhënë deri tani. Ndahemi duke i dhënë dorën miqësisht njëri-tjetrit me respekt të plotë nga të dy palët. Urime dhe suksese në rrugëtimin në vazhdim”.
Ky është njoftimi i matjanëve në lidhje me “divorcin” me trajnerin Dorjan Bubeqi.