Anastezisti nga Italia, Alban Beltoja thotë se nuk është e qartë që ka qenë mbidoza e anestezisë që i mori jetën 3-vjeçarit Brian Spahiut, i cili ndërroi jetë pas një ndërhyrje kirurgjikale dentare në klinikën e mjekut Roland Xhaxho. Ekspertiza e mjekësisë ligjore doli në përfundimin se shkak për vdekjen e të miturit ishte mbidoza e narkozës, e përdorur përpara ndërhyrjes kirurgjikale.
“Nisur nga premisa që nuk dimë çfarë anestetiku ka bërë. Fëmija është ndjerë keq pasi iku nga klinika në shtëpi, vajti në spital dhe e trajtuan me terapi intensive. Është endema e trurin, mushkëria dhe mëlçia janë jashtë funksionit. Shkaku që e çoi atë deri këtu mund të jenë disa sëmundje.
E lexova ekspertizën, faktikisht ky përfundim i mjekut-ligjor është një konstatim i një suficenti multi-organore. Do të thotë që ai konkluzion mbidozë e anestetikut, jo vetëm që nuk specifikohet se për çfarë bëhet fjalë, por në praktikën time, është pak i forcuar për të qenë kjo shkaku i vdekjes.
Fatkeqësia ndodhi sigurisht e lidhur me anestezinë, sepse ka ndodhur menjëherë pasi i është bërë anestezia. Ka një lidhje kohore, ngjarjet që ndodhin në afërsi kohore janë të lidhura. Lidhja shkakore të thuash që ishte thjeshtë një mbidoze e anestetikut, për mendimin tim nuk mjafton”, është shprehur mjeku Beltoja.
