Anëtarët e dy familjeve në Pukë janë përplasur me njëri-tjetrin me sende të forta, e ku për pasojë kanë mbetur të plagosur tre prej tyre, përkatësisht Florin Zefi, Bardhe Zefi dhe Kol Marku. Në media kanë qarkulluar pamjet e këtij sherri, ku shihen anëtarët e dy familjeve, të cilët përplasen me njëri-tjetrin, ndërsa në duar mbajnë kosore dhe sëpatë. Kujtojmë se ngjarja ndodhi një ditë më parë në fshatin Gjegjan, ku dyshohet se familjet Marku e Zefi u konfliktuan për çështje pronësie.
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për një konflikt mes disa shtetasve, në fshatin Gjegjan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë kanë kryer veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij konflikti. Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë shtetasit: K. M., 55 vjeç dhe F. Z., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Gjegjan, Pukë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë konfliktuar për motive pronësie. Nga përdorimi i sende të forta gjatë konfliktit mbetën të dëmtuar këta dy shtetas dhe shtetasja B. Z. (nëna e shtetasit F. Z.), e cila mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në këtë konflikt dyshohet se është përfshirë edhe shtetasi K. K. (djali i shtetasit K. M.). Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.