Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson përpjekjet ndërkombëtare të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. DASH evidenton se Shqipëria ka miratuar strategji kombëtare anti terrorizëm ndërsa si kërcënim për vendin evidenton përpjekjet e organizatave të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë në dhunë.
”Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit Shqiptar punoi ngushtë me agjencitë amerikane për të harmonizuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për kundër terrorizmin me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së, duke siguruar që qeveria shqiptare të zhvillojë aftësi të përqendruara”,–thuhet në raport.
Duke përmendur raste të dënimit të ekstremistëve edhe nga SPAK, DASH thotë në raport se korrupsioni dhe mos koordinimi i mjaftueshëm ndërmjet agjencive qeveritare pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit. DASH vlerëson gjithashtu edhe avancimin e Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave, që lidhet edhe me financimin e terrorizmit.
”Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem i dobët gjyqësor vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit”,-nënvizon raporti.
