Prodhimi i Brendshëm i Italisë për tremujorin e tretë të 2023-shit u rishikua në një normë rritjeje vjetore prej 0.1% nga tremujori në tremujor, sugjerojnë të dhënat përfundimtare të publikuara nga byroja kombëtare e statistikave, ISTAT.
Ky rishikim pozitiv vjen pas një kontraktimi prej 0.4 për qind në tremujorin paraardhës, duke i lejuar Italisë t’i shpëtojë rrezikut të hyrjes në një recesion teknik, të karakterizuar nga dy tremujorë me rritje negative radhazi.
Ndryshimi vjetor në GDP-në e Italisë qëndron gjithashtu në 0.1 për qind, duke tejkaluar vlerësimet e mëparshme për ruajtjen e të njëjtit nivel.
Instituti Kombëtar Statistikor zbuloi se edhe shpenzimet e konsumit dhe formimi i kapitalit fiks bruto u ulën me 0.2% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022. Për më tepër, importet shënuan një rënie të dukshme prej 3.2% e po ashtu eksportet me 0.4%.
Në buletinin e fundit të tetorit, raportimet e ISTAT vazhduan të jepnin sinjale shqetësuese për ekonominë italiane. Muajin e kaluar, si treguesi i besimit të konsumatorëve edhe ai i bizneseve regjistruan rënie të mëtejshme.
Sektori italian i manifakturës është ai që po përjeton një kontraktim të fortë. Në nëntor, treguesi i fuqisë blerëse u rishikua duke rënë në 44.4 pikë nga vlerësimi i mëparshëm që ishte 45.3.
Kjo rënie pasoi vlerësimin prej 44.9 pikë të tetorit, gjë që tregon përkeqësimin e kushteve të kërkesës. Gjithashtu, tkurrja e prodhimit dhe porosive ishte e dukshme, me nëntorin që shënoi muajin e tetë rresht të kontraktimit.
Ngadalësimi ekonomik shihet gjithashtu tek tendencat dizinflacioniste. Kuota e inflacionit në Itali ra në 0.8 për qind në nëntor të 2023-shit, një rënie kjo e ndjeshme nga kuota prej 1.7 për qind që ishte muajin e kaluar, duke shënuar kuotën më të ulët që prej marsit të vitit 2021.
Qeveria e Italisë kishte paralajmëruar prej kohësh një ndryshim të rritjes në tremujorin e dytë të 2023-shit, duke ia atribuuar atë faktorëve si gërryerja e fuqisë blerëse të familjeve, pasiguria e zgjatur e shkaktuar nga konflikti ukrainas, një ekonomi e lodhur evropiane dhe rënia e tregtisë globale.
Ndërkohë, në projekt-buxhetin e saj për vitin 2024, qeveria rishikoi me ulje parashikimin e rritjes së GDP-së për vitin aktual nga 1 në 0.8% dhe rregulloi vlerësimet e saj për vitin 2024 nga 1.5 në 1.%.
Gjithashtu, Italia pritet të çojë deficitin buxhetor të vitit të ardhshëm në 4.3% të GDP-së, me raportin e borxhit ndaj prodhimit të brendshëm që parashikohet të mbetet mbi 140% deri në fund të 2026-s.