Këtë të hënë Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK në zbatim të masës ”detyrim paraqitjeje” dhe ”ndalim i daljes jashtë shtetit”, dhënë ndaj tij nga GJKKO më 20 tetor për aferën Partizani.
Në orën 10:00, ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore të SPAK, Adelajda Metaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Berisha refuzon që të përballet me drejtësinë për këtë aferë dhe deri më tani nuk është paraqitur për masat e sigurisë në muajin nëntor. Ditët që Berisha duhej të shkonte para SPAK, ai ka zgjedhur që të strehohet në Kuvend duke sulmuar drejtësinë.
Edhe sot, në orën 10:00 pritet që të mblidhet Kuvendi dhe ish-kryeministri nuk dihet nëse do të shkojë në SPAK, por deri më tani ai ka lënë të nënkuptuar që nuk do të paraqitet pasi nuk e njeh masën e sigurisë.
