Drejtoria e Targave dhe Shtypshkrimeve do të ketë një makineri të re bashkëkohore për prodhimin e 150 dokumentacioneve që lëshohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Tashmë lejet e qarkullimit, certifikatat, vërtetimet, leje të ndryshme, dokumenta të shumë shërbimeve do të kenë elementë të shtuar sigurie falë makinerisë së re komplekse, e cila zëvendëson makinerinë e vjetër 22-vjeçare.
Përveç elementëve të sigurisë, kjo makineri katërfishon kapacitetin e prodhimit dhe rrit shpejtësinë me 10 mijë fletë në orë. Një makineri me sisteme automatike, rritje e cilësisë së shtypit offset, komode për makinistin dhe me siguri më të lartë procesi pune. Investimi më i ri i DPSHTRR përfshin edhe sistem të ri printimi profesional të numëratorëve në mënyrë digjitale me 3 grupe, saktësi vizuale, siguri dokumenti me pafundësi kombinimesh për antifalsifikim!
Shtypshkronja e re funksionon me çdo lloj boje e sidomos produkte kimike të sigurisë, duke mundësuar aplikime të reja e bashkëkohore. Që prej themelimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor ky është investimi i parë në Drejtorinë e Targave dhe Shtypshkrimeve.




