Po mbushte thuajse një vit prej kur Kristiano Ronaldo vendosi të largohej nga Reali i Madridit dhe të transferohej në mënyrë surprizë te Juventusi. Megjithatë, populli madrilen nuk e ka harruar idhullin e tyre i cili iu dhuroi emocione me performanca, ndërsa fitoi çdo trofe të mundshëm me ‘Los Blancos’.
Ka qenë vetë CR7 që në një intervistë për ‘Marca’, ka zbuluar se njerëzit në Madrid i kërkojnë të rikthehet në shtëpi. “Në Madrid më shohin dhe më thonë, Kris ktheu në shtëpi. E di që njerëzit më duan të mirën dhe më bëhet qejfi kur ma thonë këtë. I kam dhënë shumë Realit, por edhe klubi më ka dhënë shumë mua. Spanjollët më trajtojnë mirë dhe unë dua t’i punësoj ata në biznesin tim”, u shpreh Ronaldo.
Sigurisht, portugezi kaloi periudhën më të rëndësishme të karrierës me fanellën e bardhë duke marrë me vete kujtime të paharrueshme. Por, sa i përket një rikthimi duket e pamundur, ndërsa pak javë më parë ishte vetë Ronaldo që konfirmoi se do të qëndrojë te Juventusi të paktën edhe një sezon.
