Gazeta spanjolle El Pais i ka kushtuar një artikull përpjekjeve të autoriteteve, të cilat kërkojnë ekstradimin e biznesmenit shqiptar Amant Josifit nga Dubai në Spanjë.
Në një shkrim thuhet se “një prokuror, një gjyqtar dhe një ekip policie janë duke luftuar për gati gjashtë vjet për të çmontuar atë që ata e konsiderojnë si një rrjet global për mashtrimin e mijëra personave me investime të rreme financiare”.
“Gjykata e ka kërkuar që në nëntor të vitit të kaluar, kur në Shqipëri u zhvillua një operacion europian në disa call centera në pronësi të Josifit, ku persona të punësuar mashtronin qytetarët nga e gjithë bota.
Ata nuk gjetën asnjë gjurmë të biznesmenit dhe që nga ajo kohë ai figuron zyrtarisht si i arratisur nga drejtësia.
Sipas urdhrit të ekstradimit, hetuesit e akuzojnë atë se ka luajtur “një rol udhëheqës në një organizatë kriminale ndërkombëtare që, me përdorimin e inxhinierisë sociale, përfiton nga kryerja sistematike e mashtrimeve shumë të sofistikuara,” thuhet në shkrimin e El Pais.
“Josifi gëzon një mbështetje politike dhe sociale në vendin e tij, i cili e përjetoi si tërmet operacionin e arrestimit të tij një vit më parë. Si dhe arrestimin e tij zyrtar të mëpasshëm më 4 shtator në Dubai, nga i cili u lirua, në pritje të kërkesës për ekstradim në Spanjë. Kreu i gjykatës hetimore numër 2 të La Seu d’Urgell e bëri këtë më 15 shtator, me një urdhër të apeluar nga mbrojtja e biznesmenit. Hetimi që përfshin Josifin është një nga më të rëndësishmit e kryer në Spanjë dhe Evropë, ku përfshihen edhe vende të tjera, si Gjermania, Finlanda apo Suedia,” shkruan El Pais ndër të tjera.
Skema
Në fillim të nëntorit të vitit të shkuar, Eurojust, Europol, në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra call center në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar. Nga hetimet rezultoi se këto qendra ishin në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi i cili u shpall në kërkim më 1 dhjetor të vitit 2022. Policia shqiptare njoftoi se arrestimi në Dubai është kryer pas një pune gjurmuese të përbashkët me autoritetet spanjolle për llogari të këtyre të fundit.
Hetuesit shqyrtuan rreth 3 milionë imaile për të zbardhur aktivitetin kriminal të rrjetit ku bënte pjesë edhe biznesmeni shqiptar. Qytetarët spanjollë, duke u kontaktuar nga këta “call center”, josheshin përmes mashtrimit për të investuar shuma monetare në tregjet e kriptovalutave, mallrave dhe produkteve të tjera financiare.
Duke përdorur këtë praktikë, u mashtruan më shumë se 200,000 persona në Europë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Në megaoperacionin ku i përfshirë ishte edhe SPAK në nëntor 2022 u arrestuan 4 shqiptarë në Tiranë, teksa zbarkoi edhe Guardia Civil spanjolle. Në hetim në total ishin 15 Call Centera, në disa vende të Europës, 6 prej të cilëve ndodheshin në Shqipëri.