Nëse nuk do të ketë kaos nga grupi i Sali Berishës pasi këtë të fundit SPAK kërkon që ta arrestojë, Kuvendi i Shqipërisë shqyrton sot disa pr/ligje të rëndësishme në seancë plenare, teksa pritet të diskutohet edhe projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Sot pritet të shqyrtohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Qëndrueshmëria ndaj klimës dhe zhvillimit të bujqësisë””. Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7975 datë 26.7.1995 “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar. Në Kuvend sot pritet të shqyrtohet projektligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Në rend të ditës është edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
Deputetët e Berishës dhe të Bardhit kanë paralajmëruar sërish kaos në Kuvend, për të vijuar kështu sabotimin e punës që ka nisur prej javësh. Në mbledhjen e grupit, besniku Flamur Noka nuk e mbështeti Berishën për të zhvilluar protesta jashtë Kuvendit. Po ashtu këtij propozimi nuk ju bashkua as Gazment Bardhi. Rithemelimi këtë seancë do të ketë 13 deputetë më pak, të cilët janë përjashtuar për shkak të kaosit.
