Firmat e mëdha të duhanit, duke përfshirë ‘Philip Morris International’ dhe British American Tobacco – BAT, që prej kohësh ofrojnë dhe produkte të tjera të nikotinës kanë më shumë për të humbur nëse alternativat e duhanit përballen me të njëjtat rregulla si cigaret.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje qeverive që të aplikojnë kontrolle të stilit të duhanit për vape-t, duke thënë se ata po i bëjnë përdoruesit e rinj të varur nga nikotina. Kjo mund të shkaktojë probleme për kompanitë e duhanit që zhvillojnë produkte alternative të nikotinës, pasi kufizimet më të forta dhe një ndërgjegjësim në rritje për rreziqet shëndetësore ushtrojnë presion ndaj bizneseve të tyre.
Philip Morris, kompania më e madhe e duhanit për nga vlera e tregut, ka ndërmarrë prej kohësh një zhvendosje drejt alternativave të duhanit, duke ndihmuar që raporti i saj çmim – fitime – të rritet ndjeshëm më shumë se rivalët e saj.
Por kjo do të thotë gjithashtu se ka më shumë për të humbur nëse rregulloret e ashpra aplikohen dhe në produktet e tjera të nikotinës. Imperial rivendosi strategjinë e saj në 2021 për t’u fokusuar në biznesin e saj kryesor të duhanit, duke ulur aspiratat e saj për produkte të reja nikotine pasi humbi disa objektiva shitjesh dhe gjithashtu humbi pjesën e tregut në divizionin e saj kryesor të cigareve.
BAT po investon shumë në produkte alternative, të fokusuara në vape dhe cigare elektronike, dhe synon 50% të të ardhurave të saj nga këto deri në vitin 2035. Objektivi i Philip Morris është dy të tretat e të ardhurave neto nga produktet ‘pa duhan’ deri në vitin 2030.
Philip Morris ka derdhur shumicën dërrmuese të rreth 10.5 miliardë dollarëve që ka investuar në produkte ‘pa tym’ në produktet e duhanit me ngrohje, ku pajisjet e ngrohin duhanin pa e djegur atë, në një përpjekje për të shmangur kimikatet e dëmshme të prodhuara nga djegia.
Rekomandimet e OBSH-së për vape-t vijnë përpara një konference dyvjeçare për 183 qeveri në një traktat global për kontrollin e duhanit, të vendosur për vitin e ardhshëm, ku vendet do të diskutojnë produktet e reja të nikotinës duke përfshirë vape dhe cigaret elektronike.