Prokuroria e Posaçme (SPAK) në masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ka kërkuar që ky i fundit të mos ketë asnjë komunikim me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të.
Gjithashtu është kërkuar ruajtje me policë.
Në dokumentin e siguruar nga Panorama, thuhet po ashtu se adresa ku Berisha do duhet të qëndrojë është adresa e shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”.
“…me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja 1, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës policie të shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në njoftimin e SPAK.

