Politika shqiptare kujtoi edhe këtë vit ndarazi dëshmorët e atdheut. Studiuesi, Erald Kapri, i ftuar në RTV Ora thotë se 5 Maji si datë nuk është unifikuese.
Kapri tha se: “5 Maji është një debat sa ideologjik aq edhe një debat mes studiuesish dhe historianësh. 5 Maji është unifikuar si dita e gjithë dëshmorëve të rënë të vendit që nga lëvizja për pavarësi e deri tek të rënët në Luftën e Kosovës. Pra 5 Maji që ka qenë një datë e imponuar për një ngjarje simbolike siç ishte vrasja e një të riu komunist si Qemal Stafa. Kjo është një datë që ka diskutime mes njerëzve. Disa që duan të nderojnë dëshmorët e kombit nuk e shohin si datë përfaqësuese dhe për mendimin tim nuk është. Edhe unë do të preferoja ndonjë datë tjetër, ose simbolikë tjetër”.
Sipas tij dita e vrasjes së Isa Boletinit do të bënte ndryshimin.
Sipas Kaprit dita e vrasjes së Isa Boletinit mund të caktohet si dita e dëshmorëve:”Ndoshta po të ishte një datë tjetër. Mund të gjendet kompromisi. Shumë prej njerëzve nuk janë komod dhe me monumentin ku bëhen nderimet, i bërë në kohën e diktaturës dhe që ende ka një yll sipër. Nëse do të ishte një ditë tjetër që do të simbolizonte të gjithë të rënët e vendit duke përfshirë të gjithë trevat shqiptare.Ndoshta dita e vrasjes së Isa Boletinit mund të ishte një ditë mjaft e rëndësishme për të përkujtuar të gjithë të rënët e kombit shqiptar”.