Paris Saint Germain e nisi “mbi dafina” vitin e ri 2024, pasi mposhti 2-0 Toulouse në ndeshjen e Superkupës së Francës në “Parc des Princes” dhe kështu fitoi këtë trofe për të dymbëdhjetën herë në historinë e tyre.
Kylian Mbappe shënoi golin e tij të 111-të në stadiumin e PSG-së, duke vendosur kështu një rekord të ri me klubin, sepse deri më tani asnjë futbollist nuk ka shënuar kaq shumë gola në këtë stadium. Sulmuesi francez ka tejkaluar Edinson Cavanin në listën e golashënuesve më të mirë të klubit në ndeshjet e zhvilluara në Parc des Princes.
Deri dje Mbappe ndante rekordin me uruguaianin Edinson Cavani , i cili shënoi 110 gola në ‘Parkun e Princave’. Mbappe po bën një sezon të mirë, pasi ka shënuar 28 gola dhe ka dhënë tetë asistime në 28 paraqitje dhe bota e futbollit është më e interesuar për atë që do t’i ndodhë në verë sesa aftësia e tij për të prekur rrjetat e kundërshtarëve.