Nisur nga ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë, ku një 41-vjeçare, nënë e katër fëmijëve vrau veten pas postimeve denigruese në TikTok, ky nuk është rasti i vetëm kur TikToku bëhet shkak i sulmeve virtuale, ku si pasojë janë shënuar krime të rënda, nga kërcënimet, sherret fizike deri te vrasjet.
Vetëm vitin e fundit, në Shqipëri, rreth 18 të rinj janë arrestuar si autorë plagosjesh të rënda, kanosje me armë, djegie automjeti, shpërthim tritoli dhe gjobvënie, ngjarje krimi të nisura si debate virtuale në TikTok e që më pas i kanë realizuar në jetën reale.
Pa llogaritur bullizmin, kërcënimet online gjithsej u regjistruan 33 krime të rënda, në të cilat “të fortët e TikTok” mbajnë vendin e parë.
Më tej, janë krimet që shënohen nga përdorimi i “Instagramit”, që nisin e përleshen online pas pëlqimeve virtuale të fotografive, në shumë raste të mbyllura me rrahje barbare dhe vrasje si ajo e Vilson Tafçiut, raporton TCh.
Por se si nga “TikTok” gjenerohet dhunë, e tregon dosja penale e denoncuar nga Aqif Abazi, që jeton në Venezia dhe që u kthye në Shqipëri për pushime. Duke udhëtuar në Elbasan, pasi iu vështirësua qarkullimi nga një mjet me xhama të errët, ai e filmoi makinën dhe përpara se të flinte, postoi targat në “TikTok”. Kërkesa e tij ishte “më gjeni pronarin e automjetit”. Gjatë natës, komentet ishin kërcënuese dhe udhëruese për ta fshirë postimin, ndërkohë që pala tjetër me shpejtësi kishte kryer hetimet, siguruar fotografinë e tij on line dhe duke e postuar, dha ofertën “Kush e gjen këtë bosin, ku e ka lagjen, do t’i jap 200 euro”.
Kur emigranti u zgjua, iu dërgua një fotografi duke i treguar vendin ku e prisnin në Belsh, një lokal në të cilin Abazi jo vetëm u dhunua barbarisht, por iu vendos gjobë pesë mijë euro.
Ky rast u shqyrtua në Gjykatën e Lartë, e cila doli kundër një vendimit të Gjykatës së Apelit që zbuti masën e sigurisë me vlerësimin “ngjarja ndodhi më motive banale, sikurse është një postim në TikTok”.
Gjykata e Lartë thekson se ngjarja është e rëndë dhe se rrethanat si ndodhi përbëjnë dënueshmëri. Gjykata e Lartë i ktheu autorët në burg. Gjykata e Lartë kujton dëshminë e qytetarit që tregon se si teksa e dhunonin dhe i deklarohej “unë jam pronari i makinës”, e filmonin me telefon. Një dëshmitar që ndiqte skenën pa ndërhyrë sugjeroi “futini plumbin”.
Pasi u masakrua, atij iu komunikua afati se kur duhet ta shlyente gjobën prej 5 mijë euro, prej të cilave ai shleu vetëm 2 mijë. Për të tjerat, i riu u gjend nën kërcënime online, të kryera përmes “Instagram”.
