SPAK-u kërkon 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Me gjykim të shkurtuar, do të vuajë 3 vite burg nëse GJKKO pranon kërkesën. Ndërkohë për Alma Kaçin kërkon 1.6 vite burg, dhe me gjykim të shkurtuar vuan 1 vit burg.
Në seancën e parë, të pandehurit konfirmuan qëndrimin e tyre për gjykim të shkurtuar, ndërsa SPAK-u pretendoi se filmimi i video-skandalit në Bashkinë Kukës të jetë bërë me vullnet të plotë nga Alma Kaçi. Sipas SPAK ka rezultuar se pas favorit seksual të marrë nga Gjici, mes tij dhe Kaçit është bërë një bisedë ku kryebashkiaku e drejton Kaçin për te Granit Gjana, për të folur mbi tenderin për strehimin e qenve endacakë.
Në banesën e Kaçit është gjetur një USB që përmbante filmimin bruto të aktit seksual në zyrën e Bashkisë. Kaçi ka dhënë disa versione gjatë marrjeve në pyetje. Fillimisht, ajo ka pretenduar se filmimin e ka bërë në kuadër të emisionit investigativ “Fiks Fare”, pasi sipas saj ishte gazetare e padeklaruar e këtij programi.
Sipas SPAK-ut në telefonin e Kaçit iu gjetën biseda mes saj dhe gazetarëve të emisionit investigativ, ku Kaçi fliste për këtë filmim, por nuk është provuar një marrëveshje mes tyre. Në një tjetër deklarim, Kaçi ka pretenduar se për filmimin ka pasur dijeni edhe ish-kreu i qarkut Kukës, Abedin Oruçi që sipas saj ia kishte marrë me forcë USB-në. Ky pretendim i saj nuk ka gjetur mbështetje në prova të tjera.
