Miliarda njerëz do të votojnë në zgjedhjet kryesore sivjet, gati gjysma e popullsisë së botës, vlerësojnë disa në një prej ushtrimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme demokratike deri në ditët e sotme. Rezultati i tyre do të ndikojë në mënyrën se si funksionon bota në dekadat e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, narrativat e rrejshme dhe teoritë konspirative kanë evoluar në kërcënim të ashpër global. Qëndrimet e pabaza për mashtrim në zgjedhje kanë zbehur besimin në demokraci. Fushatat e ndikimit të huaj vazhdimisht kanë pasur cak sfidat e brendshme polarizuese.
Inteligjenca artificiale u ka dhënë hov përpjekjeve dezinformuese dhe ka çorientuar perceptimet e realitetit. Krejt këto kanë ndodhur në kohën kur kompanitë kryesore të rrjeteve sociale kanë ulur parzmoret dhe kanë reduktuar ekipet e zgjedhjeve.
“Gati çdo demokraci është në stres dhe e pavarur nga teknologjia”, thotë Darrel M. West, bashkëpunëtor në Institutin Brookings. “Kur shtoni dezinformimin në krye të kësaj, thjesht krijon më shumë mundësi për keqbërje”. Rreziku është shumë i lartë.
Demokracia, e cila u përhap me të madhe pas fundit të Luftës së Ftohtë, përballet me sfida anembanë nga migrimi masiv, shkaku i ndryshimeve klimatike, pabarazitë ekonomike e deri te lufta. Dështimi në shumë shtete për të reaguar siç duhet në teste të tilla ka tkurrur besimin në shoqëritë liberale dhe pluraliste, duke i hapur dyert për paraqitjet e liderëve populistë dhe të fuqishëm.
Shtetet autokratike, të prira nga Rusia dhe Kina, u kanë prirë rrymave të pakënaqësive politike për të shtyrë përpara narrativat që cënojnë qeverisjen dhe lidershipin demokratik. Këto shtete shpesh kanë sponsorizuar fushata të dezinformimit. Nëse përpjekjet e tyre kanë sukses, zgjedhjet mund të përshpejtojnë ngritjen e liderëve me mendësi autoritare.
Fyodor A. Lukyanov, analist i organizatës së përkrahur nga Kremlini në Moskë, “Këshilli për Politika të Jashtme dhe të Mbrojtjes”, së fundmi ka thënë se 2024 “mund të jetë viti kur elita liberale e Perëndimit humb kontrollin e rendit botëror”.
“Establishmenti politik në shumë shtete, ashtu si në organizatat ndërqeveritare si G-20, duken të gatshme për përmbysje”, thotë Katie Hardbath, themeluese e firmës për politika teknologjike “Anchor Change” dhe drejtoreshë e politikave publike në Facebook. Dezinformimi i përhapur nga rrjetet sociale, por edhe nga shtypi, radio, televizioni dhe thashethemet rrezikon të destabilizojë procesin politik.