Maqedonia e Veriut po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen në 8 maj 2024. Partitë politike atje po bëjnë lëvizjet e fundit drejt grupimeve në koalicione në mënyrë që çdo votë të përkthehet në feedback elektoral.
Ndonëse partitë maqedonase të cilat përfaqësojnë interesat e etnisë së tyre duken të vendosura për të mos bërë kompromise që shkojnë në kundërshtim me interesin kombëtar, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për partitë shqiptare.
Partitë maqedonase janë të ndara vetëm në dy kampe. E majta LSDM në pushtet dhe e djathta VMRO-DPMNE në opozitë. Këto janë edhe dy koalicionet e mëdha që dominojnë skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Pra, politika maqedonase është e vendosur të mos lejojë daljen jashtë sistemit të tyre të asnjë vote që mund të cenojë kalkulimet elektorale.
Po me partitë shqiptare çfarë po ndodh?
Ndarja në disa fraksione, mosmarrëveshje dhe luftë e brendshme e rrezikshme e cila padiskutim që do të përkthehet në humbje të ndjeshme të numrave në Parlament. Aktualisht kemi përçarje brenda radhëve të BDI. “Grupi i Zjarrit” i kryesuar nga Izet Mexhiti po i bën opozitë kreut të BDI, Ali Ahmeti. Përballë njëri-tjetrit janë krahu ushtarako-politik i BDI, Ali Ahmeti si kryetar i saj dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare në Maqedoni dhe nga ana tjetër, Izet Mexheti është kreu i krahut të ri politik intelektual. Mexhiti kryeson tanimë partinë Lëvizja Demokratike.
“Radikalizimi” i Mexhitit ndaj lidershipit të BDI është shndërruar në terren të përshtatshëm për të shtrirë ndikimin edhe Lëvizja Vetëvendosje në politikën maqedonase.
Shqetësuese duket situata e brendshme e partive politike shqiptare atje.
Në koalicionin qeverisës prej shkurtit 2023 me LSDM dhe BDI, Aleanca për Shqiptarët u pa fillimisht si përfaqësuese e denjë e shqiptarëve të zhgënjyer me PDSH-në e Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit.
Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët ka nisur nga “spastrimi” i partisë. Plani është i tillë, mos rikandidimi i asnjërit prej 8 deputetëve aktualë të Aleancës për Shqiptarët në zgjedhjet e 8 majit.
Edhe vetë Ziadin Sela nuk e ka të sigurt vendin në listë. Adnan Neziri, Ilire Dauti, Halil Snopçe, Syrija Rashidi, Artina Qazimi, Elmi Aziri dhe Abdulla Saliu mund të mos e shohin veten në listën e kandidatëve për deputetë në 8 maj.