Ish-zv drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka dhënë dëshminë e tij në procesin ndaj Emiljano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë për vrasjen e Vajdin Lamaj e Klodian Saliut.
“Në vitin 2008 Luftar Reçi më është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër, si trafik armësh dhe vrasjesh në Tiranë dhe Durrës. Pas kësaj letre unë kam marrë kontakt me të në burg bashkë me dy drejtorët Tonin Vocaj dhe Arjan Kurti. Nuk e kam intervistuar unë, sepse nuk e kisha detyrë funksionale. Për rastin u informua prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama dhe çështja u kalua për kompetencë në Prokurorinë për Krimet e Rënda”, dëshmoi Kuliçaj.
Nga ana tjetër i pyetur nga i pandehuri Emiliano Shullazi, nëse e përmendte emrin e tij në letër në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, Kuliçaj u përgjigj: Po e përmendte.
Në seancën e sotme u paraqiten si dëshmitare edhe dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK. Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertet dolën në përfundimin se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.