Presidenti i vendit, Bajram Begaj dekreton ligjin e ndryshuar nga PS-ja për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke injoruar kështu thirrjet disa mujore nga ana e opozitës. Ligji për komisionet hetimore u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit. Ai erdhi në Kuvend me propozim të PS-së në kohën kur pikërisht refuzimi i komisioneve hetimore u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës në Kuvend.
Në një reagim ndaj opozitës presidenca argumenton pretendimet e opozitës dhe pse vendosi miratimin e ndryshimeve. “Pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi”,-argumenton presidenti.
Parregullsi procedurale? “Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim”,-vijon në njoftim.

