Vrasja e mistershme e shqiptarit në Itali, po merr zhvillim edhe nga autopsia. Këtë të mërkurë mediat italiane kanë publikuar autopsinë e 39-vjeçarit Bledar Dedja, i cili u gjet i masakruar me thikë mëngjesin e së dielës, 21 janar në një pyll në Paderno del Grappa. 39-vjeçari vdiq nga gjakderdhja e brendshme e shkaktuar nga plaga me thikë, e marrë nga pas dhe që i përshkroi mushkrinë.
Janë 19 goditje me thikë në lartësinë e gjoksit dhe në pjesën e barkut, duke dëshmuar dhe urrejtjen e vrasësit. Dedja u gjet i shtrirë përtokë, gjysmë i zhveshur, me pantallona dhe të brendshmet e hequra. Dyshimi i hetuesve, nisur edhe nga kushtet në të cilat u gjet kufoma, është se Bledari mund të jetë goditur me thikë në fund të një takimi intim.
Baba i dy fëmijëve, 39-vjeçari punonte si kopshtar dhe pastrues në Abacinë e Vjetër. Trupi u gjet në një pellg gjaku nga një mik me të cilin burri duhej të shkonte për peshkim mëngjesin e së dielës.
