Bledar Dedja, 39 vjeç me origjinë shqiptare, u vra me 20 plagë me thikë të shtunën, 20 janar 2024. Trupi i tij u gjet mëngjesin e 21 janarit në një pyll në Paderno del Grappa, nga një mik me të cilin duhej të shkonte për peshkim.
Hetimet për vrasjen e 39-vjeçarit vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë shqyrtuar bisedat, profilet sociale dhe tabulatet telefonike të kopshtarit shqiptar, si dhe kanë ekzaminuar ambientet në zonën rrëzë kodrës që ai frekuentonte, për të kuptuar se kush duhej ta kishte takuar Dedjan atë pasdite dhe të gjente konfirmime për “jetën e dyfishtë” të viktimës.
Dedja u josh me ‘karrem’ dhe u vra nga një person i tretë
Hipoteza kryesore për momentin është se bëhej fjalë për një krim seksual ose pasioni, pasi 39-vjeçari është gjetur me pantallona të ulura dhe plagët e shumta me thikë japin përshtypjen e një krimi të kryer në sulm xhelozie apo hakmarrjeje.
Sipas asaj që është rikonstruktuar deri më tani, Dedja mund të jetë joshur në pyll nga një person (grua apo burrë) që me sa duket e njihte, i cili do të kishte vepruar si karrem, për një takim intim, ndërsa vrasësi do të ishte fshehur në shkurre, gati për të goditur.
Për hetuesit, të cilët ditët e fundit kanë marrë në pyetje rreth 30 persona, përfshirë të afërm dhe të njohur të viktimës, 39-vjeçari shqiptar duket se ka bërë një “jetë të dyfishtë”.
Gruaja dyshoi për diçka, aq sa kohë më parë kishte angazhuar edhe një hetues privat për të zbuluar njerëzit me të cilët shoqërohej i shoqi.
