Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që nga 1 shkurti përjashton nga qarkullimi dinarin serb. Ajo tha se sa i përket zbatimit në praktikë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektohej neni 11 i Kushtetutës së Kosovës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve në veri në mënyrë që të zbatohet pa problem dhe me përkrahjen e shteteve aleate.
“Sa i përket dinarit, dje me zotin Lajçak nuk kemi arritur ta diskutojmë këtë se kemi pasur shume tema për dialogun. Neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani ashtu siç e kërkon Kushtetuta. Kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe barten në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”,-tha Osmani.
Sipas saj, për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, shtrirjen e sovranitetit dhe sigurinë e shtetit sa herë që aleatët i kanë në krahë tejkalohen edhe sfidat. ”Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike. Jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo veç në letër dhe për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri mund të bëhet edhe njëra edhe tjetra”, tha ajo.