Në studion e emisionit “Frontline” ku u diskutua mbi raportin e Transparency International që e rëndit Shqipërinë vetëm me një pikë përmirësim sa i takon luftës ndaj korrupsioni, pati edhe debate mes deputetit të PS, Petro Koçi dhe deputetes së Rithemelimit Albana Vokshi sa i takon rolit të SPAK-ut në ndëshkimin e zyrtarëve të lartë.
Deputeti socialist tha se opozita nuk duhet të marrë rolin e prokurorisë apo gjykatës lidhur me hetime të caktuara dhe të lërë drejtësinë të bërë punën e vetë.
“Është e papranueshme që liderë politikë e quajnë SPAK-un organizatë kriminale. Ju bëni rolin e prokurorëve dhe gjykatësve, prandaj nuk merrni drejtësi gjykata i jep dënimet”- tha Koçi.
Deputetja demokrate iu përgjigj duke deklaruar se ka bërë denoncime të shumta në Prokurorinë e Posaçme por nuk ka pasur ndëshkime të zyrtarëve të PS.
“Kam shkuar në SPAK për check up-in u kam thënë se kam informacione shtesë. Njëri atje më thoshte hajde shpejt e shpejt, jo u thashë kam ardhur t’ua shpjegoj të gjitha edhe nëse duhet të rri me orë të tëra”- tha deputetja.
Debati në studio mes Vokshit dhe Koçit:
Koçi: Ndryshimi mes nesh është se unë kam guxuar dhe kam denoncuar edhe kolegë të mi kur kam parë shkelje, ti nuk e ke bërë kurrë
Vokshi: Po pastaj, ca bëre, u tërhoqe për të ruajtur atë vendin tënd. Nuk ke moral të vish të më thuash mua ti këtu sot.
Koçi: Iu hoq mandati sepse atë veprimtarinë fitimprurëse që bënte para se të bëhej deputet e quante normale dhe vijoi ta bënte edhe pasi u bë deputet
Vokshi: Të lutem lëre se nuk të bën nder ta mbrosh
Koci: Ty nuk të bën nder të përdorësh terma të tillë si ‘hajdut’, duhet të jesh e kujdesshme. Po të mbroj ty, nuk e lufton dot korrupsionin kështu ti.