Deputeti demokrat Ervin Salianji i ftuar në një program televiziv ka folur rreth zhvillimeve mbi Reformën Zgjedhore, duke zbuluar se çfarë ka ndodhur në debatet që janë zhvilluar pa praninë e mediave.
Ai u shpreh se u është drejtuar deputetëve anëtarë të Komisionit duke u thënë se kanë dy vite që “kanë marrë rrogën kot” dhe tani kërkojnë zgjatjen e mandatit të komisionit.
Sipas tij nuk ka një vullnet për realizimin e reformës, ndërsa shtoi se “është për të ardhur keq përdorimi që po i bën Edi Rama kolegëve të dalë nga votat e demokratëve”.
“’Për çfarë e merrni rrogën ju, ju vjen turp’, u kam thënë sepse kanë dy vite, deputetët e PS dhe ata që i shërbejnë atyre që mblidhen për të kërkuar zgjatjen e mandatit të komisionit. Pra të paguhen prapë se 2 vite e kanë marrë rrogën kot pa bërë asnjë punë dhe vijnë aty duke qeshur. Kjo është një sjellje e neveritshme politike.
Ne e dimë që nuk ka vullnet për reformën. Është për të ardhur keq përdorimi që po i bën Edi Rama kolegëve të dalë nga votat e demokratëve lidhur me këtë”, tha Salianji.