”Mbretëresha e valles shqiptare” Liljana Cingu, u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Homazhet për artisten e ndjerë do të mbahen sot në orën 10:00 në hollin kryesor të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Javën e fundit gjendja e valltares “shtojzovalle” u përkeqësua dhe fatkeqësisht kaloi në gjendje kome, derisa zemra e saj pushoi së rrahuri, ndërsa emri i saj do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe. Mbi 200 valle të kërcyera prej saj, për Liljana Cingun u nis të flitet që në adoleshencë, si një talent i rrallë.
“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit për vallet e bukura shqiptare.
“Unë në çdo valle jam ndjerë e mirë, por duke e ditur që im atë është nga Gjakova, e ndjej për detyrë dhe si amanet të tim ati, që vallen kosovare ta kërcej dhe ta sjell sikurse ajo është, shumë e bukur”- do të shprehej Cingu, ndërsa fliste për pasionin e saj për vallet dhe folklorin duke e konsideruar pasurinë e kombit.
