Gjykata Kushtetuese pranon ankesën e 45 deputetëve të opozitës që kundërshtojnë rregulloren e re të Parlamentit për përjashtim deri në 60 ditë nga jeta parlamentare të deputetëve në rast të shkeljeve etike.
Kushtetuesja e ka kaluar ankesën e opozitës për shqyrtim me përparësi.
Rregullorja e re e Parlamentit hyri në fuqi më 18 Dhjetor 2023 me votat e mazhorancës socialiste. Ndryshimet u miratuan pas kaosit disa mujor të shkaktuar në seancat plenare dhe komisione parlamentare nga ana e deputetëve të opozitës.
Me ndryshimet e reja, deputetët përjashtohen nga Sekretariati i Etikës deri në 60 ditë nga aktiviteti parlamentar, gjë që është kundërshtuar nga opozita me argumentin se shkel të drejtat e ligjvënësve duke lënë qytetarët pa përfaqësim.
Kjo kërkesë e tyre tashmë është pranuar nga Gjykata Kushtetuese dhe ka kaluar për shqyrtim.