Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka dhënë dorëheqjen pas zemërimit të shkaktuar në publik për faljen e një burri të dënuar për një rast të abuzimit seksual të fëmijëve.
Novak njoftoi dorëheqjen e saj gjatë një daljeje të jashtëzakonshme mediatike këtë të shtunë, ku u kërkoi falje qytetarëve të vendit të saj.
“Kam bërë një gabim … Sot është dita e fundit që ju drejtohem si Presidente,” tha ajo në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror.
Të paktën 1,000 njerëz protestuan në kryeqytetin e vendit të premten duke kërkuar dorëheqjen e saj. Partitë opozitare hungareze kishin kërkuar gjithashtu që ajo të largohej nga detyra.
Novak vendosi të falte me dekret disa të dënuar në prill të vitit 2023, përpara një vizite të Papa Françeskut. Por mes të dënuarve që fali ishte dhe zëvendësdrejtori i një shtëpie fëmijësh që ndihmoi ish-drejtorin e shtëpisë të fshihte abuzimet seksuale të fëmijëve.
Novak është një aleate dhe ish-ministre e kryeministrit konservator Viktor Orban.
