Komisioni për Sigurinë Kombëtare votoi sot në parim dhe nen për nen ndryshimet në projektligjin “Për Dhënie Amnistie”. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj artikuloi edhe njëherë qëndrimet e tij mbi këto ndryshime ligjore, ndërsa parashtroi amendamentet e Partisë Demokratike, ku kërkohet që pjesë e amnistisë të jenë dhe të proceduarit dhe të dënuarit, pasi morën pjesë në protestat e opozitës.
“Nuk jemi këtu për të bërë pazar. Jemi të qartë dhe për çështjen e mbipopullimit. Unë e kuptoj fare mirë që një nga motivet për të miratuar një ligj të amnistisë është dhe ulja e numrit, që kushtet për të dënuarit të jenë më komode. Parlamenti duhet të jetë i kujdesshëm përpara miratimit të një ligji të tillë, pasi me një ligj të tillë ndërthuret puna e Kuvendit me punët e drejtësisë”, tha Alibeaj.
Zv.ministri i Drejtësisë, Klajd Karametaj u shpreh se institucioni që ai drejton mirëpret çdo kërkesë që paraqitet dhe vjen nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare. “Ministria e Drejtësisë ka dashamirësinë për ta parë pozitivisht çdo kërkesë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Në princip i përgjigjem pozitivisht të gjitha konsideratave të paraqitura nga Alibeaj, pasi është e vërtetë që në drafte të tilla duhet mënjanuar përfshirja e politikës tek drejtësia, qoftë nga legjislativi, qoftë nga ekzekutivi. Prandaj dhe nenet që kemi përzgjedhur në këtë projektligj lidhen me këtë parim, të mëshirës”, tha Karametaj.