Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka anuluar udhëtimin e tij drejt zyrave qendrore të NATO-s, pasi u shtrua në spital për herë të tretë në tre muaj. 70-vjeçari është në repartin e kujdesit kritik, në një spital në Washington DC. Pentagoni tha se ai përballet me një problem emergjent në fshikëz. Po ashtu, kompetencat si anëtar i kabinetit i janë deleguar zëvendësit të tij.
Jo shumë kohë më parë, Austin u përball me kritika për shkak se i kishte mbajtur të fshehura shtrimet e tij në spital. Sekretari i Mbrojtjes nuk kishte raportuar për diagnostikimin me kancer në prostatë, në Dhjetor, apo rikthimin në spital në Janar, si publikisht, ashtu sikurse tek zinxhiri drejtues në SHBA.
Të mërkurën, Austin do të drejtonte një mbledhje të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) në Bruksel të Belgjikës. Ky pritej të ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga shtrimi për herë të parë në spital. Ai po ashtu do të merrte pjesë në një takim të Ministerialit të Mbrojtjes së NATO-s, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, të enjten. Në mbledhjen e fundit të UCDG, Austin mori pjesë virtualisht nga shtëpia e tij, më 23 Janar.
Mbrëmjen e së dielës, Pentagoni publikoi një deklaratë për shtrimin në spital të Austin, duke shtuar se si Shtëpia e Bardhë ashtu sikurse zyrtarët e Mbrojtjes ishin njoftuar. Ndërsa pak kohë më pas, Pentagoni njoftoi transferimin e funksioneve dhe detyrave të zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes, tek zëvendëssekretarja, Kathleen Hicks.
Siç shkruan BBC, deri më tani zyrtarët nuk kanë dhënë detaje se sa kohë do të qëndrojë Austin në spital, apo se kur mund t’i rikthehet detyrave të tij në krye të dikasterit që drejton.
Megjithatë mjekët janë optimistë se problemi aktual, nuk do të ndikojë në rikuperimin e plotë të tij nga kanceri. Vitin e shkuar, Austin iu nënshtrua një operacioni, si pjesë e trajtimit të kancerit. Ai u shtrua në spital ditën e vitit të ri për shkak të dhimbjeve të forta në këmbë, ije e bark, që vinin si pasojë e komplikacioneve nga ndërhyrja. Analizat zbuluan se ai kishte një infeksion në traktin urinar, ndaj u mbajt i shtruar në spital për më shumë se 2 javë.
Zyrtarë të Mbrojtjes dhe administrata e Biden nuk ishin në dijeni që Austin ishte i sëmurë rëndë dhe e morën vesh këtë vetëm 3 ditë pasi u shtrua sërish në spital në Janar.
Sekretari i Mbrojtjes vjen direkt pas presidentit sa i takon zinxhirit drejtues të Ushtrisë Amerikane dhe konsiderohet si një prej anëtarëve më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar në SHBA.
Rasti në fjalë ngjalli shqetësime si për transparencën, ashtu sikurse sigurinë. 3 hetime të ndryshme nisën për mënyrën sesi e kishte trajtuar sëmundjen Austin dhe qëndrimet në spital. Disa republikanë kërkuan largimin e tij nga detyra.
Në një deklaratë për mediat më herët gjatë këtij muaji, Austin tha se ishte tejet i keqardhur që nuk kishte bërë njoftimet e duhura dhe se i kishte kërkuar personalisht ndjesë Presidentit Joe Biden. Sekretari i Mbrojtjes pritet që të dëshmojë në fund të muajit pikërisht për arsyet se përse nuk njoftoi liderët e qeverisë.