Këtë të hënë u mblodh grupi parlamentar i Partisë Socialise. Kryetari Blendi Çuçi, tha se në seancën e ditës së enjtes në Kuvend do të kalojnë për votim dy marrëveshje dhe dy projektligje me rëndësi, por që duan 84 vota që PS nuk i ka e vetme. Së pari është marrëveshja në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore dhe së dyti protokolli me Italinë për emigrantët.
Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë. Dy projektligje të rëndësishme janë gjithashtu amnistia penale dhe ai për Zonat e Mbrojtura të cilat pritet të miratohen në seancën e kësaj jave.
Duke qenë se për Amnistinë Penale duhen 84 vota, Çuçi tha se do të bashkëpunojnë me opozitën. Gjasat janë që 84 vota të bëhet me opozitën e Lulzim Bashës, pasi mazhoranca i pranoi propozimin e tyre për të amnistuar personat e arrestuar gjatë protestave të Partisë Demokratike.
“Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshme për miratim”, deklaroi Çuçi.