Para 33 vjetësh, më 20 shkurt 1991, dhjetëra mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Sot në 33-vjetorin e rrëzimit të bustit të Hoxhës, Lulzim Basha gjatë aktivitetit “Përballja me të kaluarën-Multiperspektiva në histori”, në kuadër të 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, tha se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është një premtim i pa mbajtur.
“PD ka dërguar në parlament një propozim i cili synon lustracionin, hapjen e plotë të dosjeve edhe si shërbim ndaj demokracisë, eleminim i atyre që kontrollojnë në mënyrë të paligjshme dosjet, për të ushtruar presion.
Hapja e dosjeve është një premtim i pa mbajtur, dështim pa asnjë ekzagjerim epokal, në periudhën që po përjetojmë, të ringjalljes së aspiratave sunduese të Rusisë putiniste dhe aleatëve të vet të fshehur të Ballkanit Perëndimor siç është Serbia e Vuçiç.
Ekspozimi i plotë i agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri. Të hedhim tutje mitet e rreme, të largojmë mbeturinat brenda vetes sonë”, tha Basha.
