Me 77 vota, Kuvendi i Shqipërisë i dha dritën jeshile marrëveshjes me Italinë, që do të sjellë në vendin tonë refugjatët. Edhe pse vetë nuk ishte në Kuvend, kryeministri Rama në një reagim në X, tha se Shqipëria po vepron si një vend anëtar i BE-së. ”Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt”,-shkruan Rama.
Postimi i plotë
Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së, duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje, përballë një sfide që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
Punojmë së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, pa e lënë këtë çështje të përdoret si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që rrisin ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt.
Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të zvogëlojë vështirësinë e kësaj sfide dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyrë demode e të menduarit nuk mund të na shpëtojë nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane besnike ndaj vetvetes, mundet.
