Investimet në infrastrukturën arsimore përfshijnë ndërtimin e palestrave dhe ambienteve të reja sportive në shkolla, ndërkohë që lëvizja sportive në shkolla po përfshin gjithnjë e më shumë nxënës.
Kryeministri Edi Rama ka postuar foto nga terrenet e reja sportive të gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku janë krijuar kushte fantastike për të rinjtë. Rama theksoi se këto ambiente mirëpresin edhe ndeshjet ndërmjet ekipeve sportive të qarkut, pjesë e lëvizjes sportive në shkolla.
Gjimnazi “Asim Zeneli” është i njohur si liceu francez i Gjirokastrës dhe u themelua më 5 nëntor 1923. Gjimnazi është një nga shkollat e para të arsimit të mesëm të përgjithshëm në Shqipëri. Shkolla e cilësuar si simbol, i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë falë një financimi prej 834 milionë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare dhe bashkia e Gjirokastrës.
