Ministri i Drejtësisë në Britaninë e Madhe, Alex Chalk thotë se tashmë ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë për të transferuar 200 nga kriminelët e saj më të rrezikshëm, të cilët po vuajnë katër vjet ose më shumë në burgjet britanike, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre në vendin e tyre.
Shqiptarët përbëjnë 13% të të gjithë kriminelëve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, përqindja më e madhe, me 1,323 të burgosur aktualisht. Chalk zbuloi se i pari i deportuar sipas skemës ishte një kontrabandist i rrezikshëm droge i dënuar me 17 vjet burg.
I transferuari i parë është trafikanti shqiptar NERITAN KOLLUDRA, i dënuar nga një gjykatë e Londrës në vitin 2017, për trafik kokaine. Prej disa javësh, Kolludra po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë. Ai drejtonte një organizatë kriminale në Londër, e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milion stërlina, për llogari të një prej tre familjeve më të forta kriminale në Elbasan.
Marrëveshja e transferimit të burgosurve Angli Shqipëri firmosur në Londër nga ministri Ulsi Manja dhe homologu britanik Alex Chalk, parashikon se të burgosurit shqiptarë në shtetin ishull, vullnetarisht mund të aplikojnë për transferim. Një tjetër klauzolë në marrëveshje, i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë angleze të transferojë drejt Shqipërisë edhe pa pëlqim të burgosur, të cilët kërkon ti largojë nga burgjet angleze në ato shqiptare.
