61-vjeçari Ilio Lluka qëlloi për vdekje 40-vjeçarin Emiljano Pine, më pas me të njëjtën armë i dha fund edhe jetës së tij. Një ngjarje që tronditi qytetin e Korçës mbrëmjen e së mërkurës. Babai i Llukës kishte vendosur t’i linte në trashëgimi shtëpinë djalit të bashkëjetueses, Emiliano Pines. Por ky vendim nuk u pranua nga 61-vjeçari, i cili mori jetën e Emiljanos dhe jetën e tij.
I ftuar në studion e “Shqipëria Live” ka qenë avkati Gentjan Serjani i cili shprehet se ky ka qenë një krim i paramenduar, duke patur parasysh që e qëlloi në kokë dhe shanset për mbijetesë janë të pakta. Gjithashtu avokati shprehet se do jetë e vështirë që autoritetet të gjejnë armën që ka kryer krimin, pasi mund ta ketë blerë dhe në Greqi, ku ai jetonte.
”Ai ka ardhur nga Greqia me paramendimin që do e bëj këtë akt. Edhe mënyra se si e ka goditur në kokë, që nuk ka shanse të shpëtosh, do të thotë që ka ardhur me paramendim për ta eliminuar. Ndërkohë që duhet të vinte dhe ta falënderonte që e kishte pranuar babanë e tij në banesë. Përsa i përket hetimeve të mëtejshme si e ka siguruar armën etj, do jetë e vështirë për organin e prokurorisë për të gjetur këto informacione. Por ne do shohim se shumë shpejt do pushojë si çështje, do mbyllet si akuzë sepse personi që ka kryer ngjarjen ndërroi jetë dhe jemi në një situatë ku nuk mund të vazhdojë më hetimi”.
