Deklarata e fundit e presidentit francez Emmanuel Macron që tha se nuk përjashtohet dërgimi i forcave tokësore nga vendet perëndimore në Ukrainë u përmend nga ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov në një intervistë në Turqi, ku ndodhet në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias .
Kreu i diplomacisë ruse, duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, pohoi se “pas grushtit të shtetit në Ukrainë “, njerëz të kontrolluar nga SHBA u bënë ministra dhe se të gjitha këto ngjarje çuan në zhvillimet e situatës aktuale. Ai theksoi gjithashtu se nuk mendon se Macron ka thënë ndonjë gjë gabimisht, por në momentin që e ka thënë kolegët e tij janë nxituar dhe kanë tentuar të korrigjojnë fjalët e tij. Fjalët e Macron patën një ndikim të madh në Bashkimin Evropian dhe në mbarë botën.
“Të gjithë i hodhën poshtë fjalët e tij. Bashkëpunëtorët e presidentit Macron dhe ministrit të ri të jashtëm filluan të thoshin se ne nuk e kishim menduar vërtet këtë, trupat mund të dërgohen në Ukrainë, por ata nuk do të luftojnë, do të ofrojnë vetëm trajnime. Megjithatë, ata kanë rrëfyer se do të dërgojnë apo synojnë të dërgojnë trupa”, tha ai, duke shtuar se jozyrtarisht janë tashmë “aty”.
Ai gjithashtu pretendoi se Macron nuk u tërhoq nga deklarata e tij. Ndërsa deklaratën e sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin, se disfata e Ukrainës kërcënon një konfrontim ushtarak mes Natos-s dhe Rusisë, e përshkroi si një “rrëshqitje frojdjane”.
“Para kësaj të gjithë thoshin se nuk mund ta lëmë Ukrainën të humbasë, sepse Putini nuk do të ndalet me kaq dhe do të pushtojë Poloninë, Finlandën … dhe tani dëgjojmë dikë që e thotë hapur, por ne nuk kemi këto plane, pra është e kundërt, amerikamët i kanë këto plane sepse ndjejnë sesi evropianët po largohen prej tyre”, tha ministri rus.
Ai gjithashtu argumentoi se Evropa ishte viktimë e politikës për ta futur Ukrainën në NATO dhe të gjitha kostot u zhvendosën në Evropë. Lavrov foli dhe për çështjen e Gazës dhe ndikim e SHBA-së. Ai fajësoi SHBA-në se po çon palestinezët në një pikë që nuk mun dtë kenë shtetin e tyre
“SHBA po e çon procesin në një pikë ku palestinezët nuk mund të kenë shtetin e tyre,” argumentoi ai. “Do të ketë deklarata shumë të bukura, për shembull që Palestina do të bëhet anëtare e OKB-së, por në terren gjithçka do të mbetet ashtu siç është. Me fjalë të tjera, ata paraqesin një imazh të bukur, por status quo-ja nuk ndryshon”, shtoi Lavrov.