Marios Tralo, 20-vjeç nga Durrësi, është arrestuar nga policia në Greqi. Ndaj tij rëndonin akuzat “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Tralo dyshohej se fshihej në Angli, pas ngjarjes.
Rreth orës 03:30 të 2 shkurtit nga një automjet është hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme ndaj Renis Fejzollit, i cili ndodhej në një park në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë. 34-vjeçari u transportua në spital i plagosur me dy plagë arme zjarri, ndërsa policia gjeti në vendngjarje 3 gëzhoja, 1 fishek dhe 1 thikë. Hetimet e policisë zbuluan se Fejzolli i kishte borxh një shumë prej 1000 euro Marios Tralo me të cilin ishin shokë, ndërsa ky i fundit kishte përhapur thashetheme në rrethin e tyre, të cilat e kishin prekur Fejzollin.
Ata kanë komunikuar në telefon pasditen e 1 shkurtit dhe e kishin lënë të takoheshin për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa Fejzolli e priste Tralon në parkun ku ndodhi ngjarja, ky i fundit është shfaqur me një automjet “Toyota Yaris” dhe pasi ka hapur xhamin, ka shtënë me armë drejt tij. Bashkë më Tralon ne automjet kanë qenë edhe Dushku e Zisis.
Në 15 shkurt policia greke ka zbuluar të parkuar në rrugën “Iraklideon 69” në Athinë motorin e markës “Kymco Agility City” në pronësi të Marios Tralo dhe brenda tij është gjetur 1 pistoletë tip “Glock” me një krehër me dy fishekë. Policia greke nisi kërkimet për Tralon, Dushkun e Zisis por deri tani ka vënë në pranga vetëm të parin.
