Ministria e Jashtme e Rusisë pretendon se “po intensifikohen përpjekjet që të integrohen rajonet me popullsi shqiptare në Ballkan”.
Autoritetet ruse kanë paralajmëruar se “me këtë po komplikohet dialogu mes Serbisë dhe Kosovës dhe po minohet atmosfera e besimit në gjithë rajonin”.
Sipas ministrisë së Jashtme ruse “përkrahësit perëndimorë të Tiranës po bëjnë sikur nuk i shohin aspiratat aktive të Shqipërisë së Madhe”, shkruan Zëri.
“Intensifikimi i përpjekjeve për integrimin e rajoneve me popullsi shqiptare në vendet fqinje ballkanike dhe institucionalizimi i këtij procesi në kuadër të Lidhjes Rajonale të Komunave shqiptare nuk është i padëmshëm”, pretendohet në njoftimin e ministrisë.
Nga ana tjetër, ministria ruse pretendon se “nuk mund të injorohen një sërë hapash të cilat po ndërmerr udhëheqja aktuale shqiptare, në lidhje me konsolidimin e faktorit shqiptar në kuadër të politikës rajonale të Tiranës”.
Ministria i ka bërë thirrje partnerëve perëndimorë të Shqipërisë që më në fund të reagojnë në “pretendimet e qarta për Shqipërinë e Madhe të Tiranës”.