Elbasani është kthyer në një atmosferë festive 10 ditë para festës së Ditës së Verës, e cila rrënjët i ka tek ky qytet. I ftuari i radhës në “Vendi Im” me Edlira Prendin, kryebashkiaku Gledian Llatja ka bërë edhe një përmbledhje të aktiviteteve dhe pikave të shumta në qytet ku do të gjallërohet kjo festë.
“Dita e Verës është e Elbasanit. Ne na bëhet zemra mal kur shohim që të gjithë qytetet që e festojmë, kur të gjithë qytetet marrin nga tradita jonë, marrin ballokumen. Gjërat tradicionale i gjen vetëm në Elbasan, por gatimet, pjesa e festimit, aktivitete të ndryshme patjetër që nuk kanë një domosdoshmëri mbylljeje në Elbasan. Ne na bëhet qejfi që festohet në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi disa vite që e zgjasim. Këto janë aktivitete që kryesisht i kanë dhënë ngjyrat e veta Elbasanit, por dhe festës së Ditës së Verës dhe patjetër autorësinë e fortë të Elbasanit. Ne kemi një sërë aktivitetesh, skena është vënë në Elbasan. Aktivitete për fëmijë, aktivitete në Teatrin Skampa, kemi aktivitete sportive, aktivitete kulturore, do jenë ekspozitat, panairi i zejeve, panairi bujqësor. Do jenë një sërë aktivitetesh që futemi në javën tipike të Ditës së Verës. Do sjellim këtë vit për fëmijët e kopshteve poçerinë. Duam të kthejmë traditën tonë të vjetër dhe në zeje ndaj kemi bërë dhe panairin e zejeve, por dhe në pjesën e zanateve. Në datë 13 presim këngëtarë me emër, por dhe në datë 14. Më pas për të vazhduar me aktivitetet në shtëpi ku gjithësecili në shtëpitë e tij feston sipas traditës së Elbasanit”, thotë Llatja.
Lexo edhe :
Related Posts
Kreu i Bashkisë së Elbasanit ndalet dhe tek investimet që po kryehen apo pritet të nisin së shpejti në qytet dhe në zonat rurale të tij.
“Shumë shpejt fillojmë rikonstruksionin e Muzeut Etnografik të Elbasanit, një investim i Bashkisë me buxhetin e këtij viti dhe krahasimisht fillojmë dhe një sërë investimesh në kala sa i përket rivitalizimit të muzeve. Shumë shpejt fillojmë Muzeun e Arsimit, të cilin e kemi konceptuar dhe për arsimin e Elbasanit.
Gjithashtu jemi duke përfunduar projektin për investimin edhe në shtëpinë e Lef Nosit. Dhe atë e kemi konceptuar si një Muze të Postës dhe Telekomunikacionit dhe Zhvillimit Teknologjik. Kemi edhe një projekt të madh të KFW dhe të qeverisë shqiptare, për investimet në lagjet kryesore të Elbasanit ku qëllimi jonë është të kemi ujë 24 orë për një pjesë të madhe të lagjeve. Urbanizimi I zonave rurale ka qenë një nga temat edhe në fushatë. Jo vetëm t’i kthejmë ato në lagje të banueshme, por patjetër të çojmë aty dhe kopshte, çerdhe dhe shkolla ku ato mungojnë”, shprehet Llatja.
I pyetur se cili është një nga projektet që ka më përzemër, kryetari i Bashkisë Elbasan thotë se:
“Në fakt automotoparku i Elbasanit është një nga investimet më të mëdhaja që vjen në Shqipërinë e Mesme për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të qytetit tonë, por të gjithë trekëndëshit Durrës-Tiranë-Elbasan. Është një investim i mikpritur nga gjithë qytetarët e Elbasanit. Gjithashtu bypassin ne e shohim si një domosdoshmëri”.